Lindja e Afërme


KUSHTET NATYRORE-GJEOGRAFIKE DHE STRATEGJIKE SI FAKTOR RELEVANT NË KRIJIMIN E NJË RAJONI NEURALGJIK BOTËROR KU JANË TË IMPLIKUARA EDHE INTERESAT E FUQIVE TË MËDHA
Lindja e Afërme apo Lindja e Mesme? Kjo është pyetja e parë që mund të paraqitet në opinionin e përgjithshëm. Një pyetje e këtillë vjen nga fakti se, siç jemi edhe dëshmitarë, në shtypin e përgjithshëm botëror apo në mediat e tjera, gjatë emitimit të informacioneve të ndryshme lidhur me këtë rajon të Azisë Jugperëndimore, përdoret nocioni Lindja e Mesme.
Në vazhdim, veç të tjerave, do të orvatemi që të japim një sqarim se cili nocion është më i përshtatshëm dhe që ka mbështetje shkencore, i pari apo i dyti.Veç këtyre hasen edhe emrat Azia e Përparme dhe Mashrek. Me këtë të fundit (në gjuhën arabe do të thotë hapsira lindore arabe) përfshihen vetëm vendet arabe të rajonit aziatik jugoperëndimor. Shikuar nga këndvështrimi shkencor-gjeografik ne do ta quajmë Lindja e Afërme. Kjo nga fakti se kontinenti i Azisë përfshin një sipërfaqe të madhe dhe gjendet në lindje të kontinentit të Evropës (vetë fjala asi do të thotë lindje), ndaj nga aspekti regjional ndahet në Lindjen e Afërme, Lindjen e Mesme dhe Lindjen e Largëme. Ja pse këtë anë të Azisë duhet ta quajmë Lindja e Afërme (Azia Jugperëndimore). Kuptimi Lindje e Afërme daton qysh prej Luftës së Parë Botërore, kur me këtë emër qenë përfshirë vendet e perandorisë së atëhershme Osmane. Më vonë ky emër u përvetësua edhe në literaturën shkencore (gjeografike).
Sipas karakteristikave të njëjta natyrore, strategjike, origjinës popullative, ekonomike dhe historike, në këtë rajon përfshihen: Gadishulli i Arabisë, Mesopotamia, vendet levantike, Azia e Vogël dhe rrafshënalta irano-avgane. Kjo hapsirë përfshin një sipërfaqe prej rreth 6 800 000 km². Se cilët vende janë të përfshirë në këtë rajon në literaturën shkencore mund të gjenden mendime të ndryshme. Sipas autorëve rusë aty përfshihen vendet e Azisë Jugperëndimore në perëndim të Iranit, kurse vetë Irani, Avganistani dhe Pakistani trajtohen si vende të Lindjes së Mesme (në veri të tyre Azia Qendrore). Gati të gjithë gjeografët në kufijt e Lindjes së Afërt e numërojnë edhe Egjyptin, edhe pse ky shtet me pjesën më të madhe paraqet pjesë të një kontinenti tjetër. Ekzistojnë edhe mendime të tilla që aty nuk numërohet Turqia dhe Qiproja. Sipas mendimit të qarqeve zyrëtare amerikane (ShBA) në këtë rajon përfshihen shtetet e Afrikës Veriore dhe pastaj një numër i vogël i vendeve të Azisë Jugperëndimore, ose gjithsej 18 vende. Mirpo kjo tezë, në kuptimin gjeografik, nuk mund të jetë e pranueshme sepse ato i takojnë kontinenti tjetër. Në literaturën amerikane dhe në ato të vendeve të tjera perëndimore nëpërgjithësi, vendet e Azisë Jugperëndimore (pa përfshirë vendet e Afrikës Veriore), përfshirë Avganistanin, Pakistanin dhe vendet e reja të formuara në pjesën qendrore aziatike nga shpërbërja e ish Bashkimit Sovijetik, me një emër përfshihen në Lindjen e Mesme, duke përfshihirë 20 vende.
Në hapsirën e Lindjes së Afërme ne do t’i përfshijmë vetëm vendet e pozicionuara prej Stamballi në perëndim gjer në Kabul në lindje dhe prej Teherani në veri gjer në Aden në jug, përfshirë aty edhe Egjyptin, i cili me karakteristikat e veta natyrore, shoqërore-ekonomike dhe kulturore-historike më tepër graviton në Lindjen e Afërme.
Pozita botërore-gjeografike dhe strategjike
e rajonit si faktor në ndryshimet historike-politike
Rajoni i Lindjes së Afërme ka një pozitë botërore-gjeografike dhe strategjike mjaft të përshtatshme. Me pozitën e vet paraqet një farë urë kaluese në mes Evropës, Azisë dhe Afrikës. Aty kryqëzohen lidhjet rrugore dhe ajrore me karakter botëror të cilat e lidhin Evropën me Indinë, Lindjen e Largme dhe Australinë, pastaj edhe me Afrikën Lindore dhe Jugore. Në pjesën jugperëndimore gjendet kanali i Suecit, nëpër të cilin kalon rruga më e shkurtër detare prej Evropës për në Indi, Azinë Juglindore, Lindjen e Largme dhe Australi. Në pjesën veriperëndimore gjendet ngushtica detare e Bosforit dhe Dardaneleve, me një rëndësi po ashtu të posaçme për vendet që kanë dalje në Detin e Zi. Nëpër hapsirën e këtij rajoni shkojnë vijat hekurudhore ndërkombëtare me rëndësi të madhe ekonomike, siç janë ajo e Bagdadit, Transiranit dhe ajo Levantike. E para e lidh Evropën me Gjirin e Persisë, e dyta zonën bregdetare kaspike me Gjirin e Persisë dhe e treta e lidh Turqinë me Egjyptin.
Pozita e këtillë me lidhjet e përshtatshme rrugore-tokësore, detare e ajrore dhe pozicionimi ndërmjet tre koninenteve, rajonit i pat dhënë një rëndësi të posaçme në të kaluarën edhe sot, dhe me pozitën e vet gjeostrategjike të jetë rajoni më neuralgjik në botë. Madje, me rëndësi është të theksohet se ky rajon me pozitën e vet hapsinore gjendet në zonën e rimlend-it (rimland) të evroazisë e cila vazhdimisht ka qenë dhe është vatër e tensioneve dhe konflikteve të armatosura. Megjithatë, pozita e këtillë mundësoi që aty të zhvillohen edhe civilizime të vjetra, siç janë: civilizimi sumeran, asiro-babilon, egjyptjan, persian dhe ai arab. Madje, aty u paraqitën edhe tre religjione (Judizmi, Krishterizmi dhe Islamizmi), prej të cilëvë dy janë më të numërt në botë ( Krishterizmi dhe Islamizmi). Sipas të dhënave në literaturën historike, krishterizmin në Ballkan tek bota joçifute e përhapi një predikues me origjinë ebreje i quajtur Pal (Edwin E. Jacques, 1996). Ky misionar i krishterizmit me aftësitë dhe shkathtësitë e veta predikuese, pati mundësi që të bëjë një shndërrim rrënjësor në botën romake. Kurse Islamizmin në vendet e Lindjes së Afërme qysh në kohët e para të shekullit të mesëm e përhapën arabjanët. Të parët që e përhapën këtë besim jashtë këtij rajoni, kanë qenë turqit osmanllinj pas ardhjes nga Turkestani, kur aty e pranuan islamin (shek. XII). Pastaj me okupimin e vendeve të tjera dhe me themelimin e shtetit të tyre në Azinë e Vogël, patën mundësi që ta përhapin edhe tek popujt e tjerë. Ndikimi i tyre në këtë rajon vazhdoi gjer në vitin 1918,kur në këtë anë definitivisht shkatërrohet Perandoria Osmane.
Strategjia e rajonit filloi të ritet tepër në gjysmën e dytë të shek. XIX me dobësimin e Perandoris Osmane, me zhvillimin e kapitalizmit në botën perëndimore dhe me hapjen e kanalit të Suecit ( Ky kanal është hapur-ndërtuar prej vitit 1859 gjer më 1869 sipas proektit të inzhinjerit francas Leseps. Kanali është i gjatë 173 km dhe e lidh qytetin Port Said, në detin Mesdhe, me qytetin Suec, në Detin e Kuq), i cili e shkurtoj tepër udhëtimin detar për në rajonet e tjerë të Azisë e Australisë. Në fakt, në këtë periudhë kohore interesi i shteteve të zhvilluara kapitaliste filloi vazhdimisht të ritet. Ndërkaq, fillimi i shekullit XX u bë akoma më atraktiv me zbulimin e rezervave të naftës. Sot ky rajon me rezervat e këtij burimi energjetik e zë vendin e parë në botë. Të parët që treguan interes dhe që e invaduan Lindjen e Afërme janë Anglezët të cillët në pjesën jugperëdimore të Gadishullit Arabik, në qytetin Aden, e formuan bazën e tyre. Më vonë në vitin 1882 Egjyptin e shpallë protektorat të tyre. Këtë e bënë me qëllim që kanalin e Suecit që është me rëndësi të posaçme ekonomike dhe strategjike, ta kenë nën kontrollin e vet. Nga ana tjetër, Gjermanët në vitin 1903 filluan ta ndërtojnë hekurudhën e “Bagdadit”.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, në kohën kur Perandoria Osmane ishte në shkatërrim e sipër, Britania e Madhe edhe pse popujve arabjanë që qenë të okupuar u premtoi pavarsi, pas mbarimit të luftës dhe me largimin e Turqëve, nuk ua realizoj premtimin e dhëna. Përkundrazi, nën protektorat të vet e morri Irakun, Palestinën dhe Transjordaninë. Pastaj morri obligim që të bëjë përgatitjet e nevojshme për krijimin e shtetit hebraik në teritorin e Palestinës. Pak më vonë, Francezët duke marrë parasysh pasurit e mëdha natyrore, pozitën e përshtatshme gjeografike dhe strategjike të rajonit, u munduan që ta kolonizojnë Sirinë dhe Libanin. Me shkatërrimin e Perandorisë Osmane dhe me mbarimin e LPB, si shtet i pavarur u shpall Jemeni, kurse me pjesën Nexhid qenë bashkuar Shamar, Hexhas, Asir dhe rajone të tjerë në Gadishullin e Arabisë, duke formuar shtetin e Arabisë Saudite në vitin 1932. Në këtë vit Iraku fiton formalish pavarsi nga Britania e Madhe. Pas Luftës së Dytë Botërore kolonializmi perëndimor në rajon filloi definitivisht të shkatërrohet. Në këtë periudhë shumë shtete fituan pavarsinë e vet.
Në këtë rajon në vitin 1948 në teritorin e Palestinës u krijua shteti Izrael. Tani parashtrohet pyetja: Pse këtë shtet fuqitë perëndimore e krijuan në teritorin e Palestinës, dhe pse i mundësuan që të ketë dalje në Detin Mesdhe dhe në Detin e Kuq? Dhe, nga ana tjetër, vallë është në interes të popujve arabe të zhduket shteti i Izraelit? Sipas mendimit të shumë analistëve, pazicionimi i Izraelit në këtë mënyrë për fuqitë e mëdha, posaçërisht për Amerikën, më tepër është i karakterit gjeopolitik sepse i ndan vendet arabe në pjesën qendrore të tyre, sidomos dy vende me ndikim më të fuqishëm politik, Egjyptin e Sirinë. Pastaj, analistët janë të mendimit se për fuqitë e mëdha në këtë rajon më tepër vlejnë ligjet gjeopolitike. R.Paviq (një analist kroat), në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, në një analizë që e pat bërë lidhur me këtë rajon, ka qenë i mendimit se armik i vërtetë i popullit arab nuk është populli izraelit, por ekstremistët zionistë në qarqet e veta feudale dhe gjysëm feudale. Ai, po ashtu, pat nënvizuar se zhdukja e Izraelit nuk është në fitim të arabëve. Arabët, konkludon ky analist, duhet të kenë një angazhim më të madh në të gjitha aspektet që të vinë në të ardhura më të mëdha nga nafta e tyre dhe të luftojnë kundër mbeturinave feudale (R. Paviq: Politiçko-geografska i ekonomska utemeljenost Çileanske i bilskoistoçne krize, Geografski Horizont, nr.3-4, 1973 Zagreb). Se sa ka patur të drejtë ky analist, këtë e ka treguar koha e kaluar prej rreth 35 vitesh.
Në kohën e fundit implikimi i fuqive të mëdha në rajon është akoma më i madh. Por tani, jo vetëm nga aspekti ekonomik dhe gjeostrategjik, por edhe nga fakti së në këtë anë të botës lindi terorizmi, i cili është një kërcënim i madh për paqën dhe sigurimin e jetës të popujve me përmasa globale.
Në sajë të shpjegimit që u bë më lartë u pa se rajoni i Lindjes së Afërme me pozitën e përshtatshme gjeografike dhe gjeostrategjike dallon nga rajonet e tjera aziatike dhe botërore. Të shikojmë se si janë karakteristikat e tjera natyrore të cilat në vija të shkurtëra do t’i sqarojmë më poshtë.
Disa karakteristika
natyrore- gjeografike
Hapsira e Lindjes së Afërme edhe pse relativisht e madhe, mund të thuhet se ka cilësi të njgjajshme natyrore. Aty sipërfaqe të mëdha përfshijnë rrafshënaltat stepiko-shkretinore, pastaj masivët malorë dhe një sipërfaqe të vogël përfshijnë ultësirat. Pjesa veriore paraqet një rajon tipik malor i përbërë prej rrudhjeve të reja malore të formuara në epokën e oligo-miocen-it, rrafshënaltave të zgjeruara, fushëgropave të mbyllura dhe luginave lumore të thella në formë të grykave. Gjatë pjesës së dytë të tercier-it, përkatësisht në periudhën e neogjen-it fuqitë e jashtme për një kohë të gjatë patën mundësi që t’i ulin dhe rrafshojnë malet e larta. Në këtë mënyrë u formuan rrafshënalta e Azisë së Vogël dhe e Iranit Qendror. Lartësitë e sotme malet i mbrijtën me lëvezjet neotektonike vertikale të paraqitura më vonë. Lëvizjet intensive tektonike në disa vende qenë përcjellë me aktivitete vullkanike. Në rrafshënaltën ermene e cila është e mbuluar me lavë vullkanike, lartësohet maja vullkanike Ararat. Në pjesën jugore të rajonit, në pjesën qendrore dhe lindore, shtrihen rrafshënalta të anuara në drejtim të Gjrit të Persisë. Në këtë drejtim janë orientuar edhe koritat e thata (uada) të lumenjëve të cilat paraqesin relikte të krijuara në epokën e pleistocen-it. Në pjesën veriperëndimore, jugperëndimore dhe juglindore lartësohen male që mbrijnë gjer më 3 000 metra lartësi absolute. Në periudhën e tercier-it kur u formuan malet në pjesën veriore dhe në periferi të Gadishullit Arabik, u formua edhe depresioni tektonik Siriano-palestines, i cili nëpërmjet Detit të Kuq del në Afrikën Lindore. Për gjatë këtij depresione rrjedh lumi Jordan në drejtim veri-jug dhe derdhet në Detin e Vdekur kriptodepresiv. Ultësira kryesore në rajon është Ultësira e Mesopotamisë e mbuluar me shtresa pjellore aluviale. Vazhdimësi të kësaj ultësire paraqet Gjiri i Persisë.
Si është natyra në hapsirën egjyptjane? Territori i Egjyptit në fakt paraqet një urë kaluese ndërmjet elementeve natyrorë të Afrikës Veriore dhe rajonit të Azisë Jugperëndimore. Kështu, për shembull, pjesa shkretinore është një vazhdimësi e pjesës lindore të shkretirës së Saharës. Në aspektin të morfoplastikës relievore aty shtrihet një pllakë e madhe shkretinore, në përbërjen e së cilës hyn edhe lugina e Nilit e cila është formuar me shkarjet vertikale të pliocen-it. Lugina e këtij lumi kur hyn në teritorin e Egjyptit gjerësinë e ka 1-4 km, pak më në veri 10-20 km, kurse në deltën (në derdhjen në Detin Mesdhe) e arin gjerësi gjer më 200 km. Pjesa e pllakës shkretinore që gjendet në perëndim të Nilit quhet Shkretira e Libisë, kurse ajo në lindje është e njohur me emrin Shkretira Arabe. Në pjesën qendrore dhe veriore të shkretirës së parë gjenden depresione të thella. Në shumë vende të tyre ku uji nëntokësor vetë del në sipërfaqe ose ekziston mundësia të paraqiten puse artezike, gjenden oaza. Më të dalluara janë Oaza e Kaltërt, Fajum, Farafra, Dahlla etj. Në Shkretirën Arabe në lindje nuk ka oaza prandaj aty nuk ka popullim të përhershëm. Duhet theksuar se përgjatë brigjeve të Detit të Kuq ngriten dy masivë malorë: Saub me një lartësi prej 2184 metra dhe Sinaj 2641 metra.
Lindja e Afërme në pjesën më të madhe paraqet një rajon të thatë subtropik. Në territirin e Egjyptit temperatura e korrikut është 26-33°C, kurse e janarit 12-15°C. Ekzistojnë edhe raste kur paraqiten temperatura ekstreme gjer më 40°C e më tepër. Në Gadishullin e Arabisë, temperaturat ekstreme mund të mbrijnë gjer më 55°C. Sasia e reshjeve në tërë rajonin është e paktë. Shkaqet për klimën e thatë janë ndikimet e mëdha kontinentale. Në pjesën e Detit Mesdhe, në bregun e Detit të Kuq, në jug të Jemenit dhe brigjet jugore të Liqenit Kaspik dhe Detit të Zi, në veri, karakteristikat klimatike dallojnë prej pjesës qendrore. Në bregun e Mesdheut dimri është i butë dhe me lagështi, kurse vera e ngrohtë dhe shumë e thatë. Sasia e të reshurave aty është prej 500-1000 mm në vit. Në pjesët e tjera, me një dallim të vogël, klima ka karakteristika të tjera. Duhet theksuar se në Jemen klima është tropike me një sasi të madhe të reshjeve në periudhën e verës të cilat i sjell monsuni veror jugperëndimor.
Aty edhe rrjeti hidrografik është i rrallë. Dallohen vetëm dy lumenj kryesorë në pjesën më të madhe të rajonit. Ata janë Tigri dhe Eufrati të cilët, para derdhjes në Gjirin e Persisë, bashkohen dhe e krijojnë lumin Shat El Arab. Kurse në pjesën anësore të rajonit, përkatësisht në Egjypt, është lumi Nil. Për këtë lumë thuhet se është “dhurata e Egjyptit” sepse gjatë vitit është mjaft i pasur me ujë dhe ka një rëndësi tepër të madhe ekonomike për Egjyptin.
Disa të dhëna popullative
dhe struktura etnike
Rajoni i Lindjes së Afërme cilësohet me një ritje të shpejtë të numrit të popullsisë. Sipas të dhënave statistikore ky rajon në vitin 1930 ka numëruar rreth 70 miljonë banorë, 38 vjet më vonë,në vitin 1968 ka numëruar rreth 140 miljonë, që është një ritje e dyfishtë. Në vitin 2000 ky numër është ritur akoma më tepër. Tani numri arrin mbi 311 miljonë banorë. Në 32 vjetët e fundit, përkatësisht prej vitit 1968 gjer në 2000, numri është ritur për 141 miljonë, që është më tepër se dy herë. Dhe në fund, prej vitit 1930 gjer në 2000, për një periudhë prej 70 vjet, numri ritet për 241 miljonë, ose për 344.3% (444.3% pika indeksore).
Në priashtim të Turqisë, Iranit, Izraelit dhe Avganistanit, rajoni është i populluar me popullatë arabe. Përqindja më e madhe e arabëve është në territorin e Egjyptit, Jordanit, Arabisë Saudite dhe Kuvajtit. Në këto vende ata përbëjnë prej 96-98% të numrit të përgjithshëm.Veç arabëve, aty jetojnë edhe turqë, persianë, hebrejë dhe grupe të tjera etnike. Arabët në kohrat e vjetra, para paraqitjes të besimit Islam, kanë banuar në veri të Arabisë. Më vonë filluan të zgjerohen edhe nëpër vendet e tjera të rajonit, por më tepër në anën jugore.
Populli arab, edhe pse ndahet në grupe të ndryshme, flet një gjuhë të përbashkët letrare. Grupe më të dalluara janë katër: beduinët ose nomadët, gjysëm nomadët, bujqët me vendqëndrim të përhershëm dhe popullata urbane (qytetare).
Beduinët me numër më të madh i ka në Arabinë Saudite (gati 1/3). Pasi kohën e banimit të tyre e kalojnë nëpër shkretëtirat e Arabisë quhen edhe “banorë të shkretëtirave” ose nomadë. Merren me blegtori, sidomos me kultivimin e deveve. Qumshtin dhe mishin e tyre e përdorin për yshqim. Leshin, i cili është mjaft i kualitetshëm e përdorin për nevojat e veta dhe për shitje nëpër qendrat urbane.
Gjysëm nomadët merren me bujqësi dhe me blegtori nomade. Tek këto fise dallohen dy llojesh të blegtorimit. Sipas njërit lloj, pas mbarimit të sezonit të punëve bujqësore, nëpër fshatrat mbeten vetëm disa familje që duhej t’i ruajnë pronësitë, kurse të tjerët enden me kopetë e tyre duke kërkuar kullota nëpër hapsirat shkretinore. Fiset e këtilla, thotë një autor, bëjnë jetë të çergarëve. Nga fshatrat e tyre ata largohen gjer më 100-200 km. Mënyra tjetër e jetesës është në atë se vetëm disa antarë të familjes shkojnë jashtë me kopetë e blegtorisë , kurse të tjerit vozhdojnë të merren me bujqësi.
Grupi që merret me bujqësi është më i numërt. Këta e përbëjnë masën më të madhe të popullsisë në vendet arabe. Merren kryesisht me bujqësi.
Popullsi urbane (qytetare) e përbën numrin më të vogël. Numri më i madh i kësaj kategorie banon nëpër qytetet e vogla ku merret kryesisht me zejtari dhe tregëti. Ndonjëherë edhe me bujqësi.
Në rajonin e Lindjes së Afërme pas Arabëve, me numër në vendin e dytë vinë Turqit, pastaj Persianët dhe Avganët.
Karakteristikat gjeografike dhe historike të rajonit kanë ndikuar dukshëm në shtrirjen hopsinore të popullsisë. Gati 10% e territorit të Lindjes së Afërme nuk është i popullauar, kurse në rreth 60-70% dendësia e popullimit sillet rreth 1 banor në 1km². Dendësia e popullimit rritet duke kaluar prej shkretirave në oazat, në luginat e lumenjve dhe rreth zonave malore. Dendësia e popullimit më e madhe është në luginën e rrjedhjes së poshtme të lumit Nil ku arrin gjer më 800 banorë në 1km². Pastaj në bregdetin Levantik (Libano-izraelit); në bregdetin e Egjeut dhe Detit të Zi të Turqisë; bregdetin Kaspik të Iranit; në Mesopotami dhe në zonën e Kabul-Kandaharit.
Në sajë të kësaj që u fol më lartë mund të nxirret përfundim se rajoni i Lindjes së Afërme që e përfshin Azinë Jugperëndimore dhe një pjesë të vogël të Afrikës verilindore, me pozitën e vet të përshtatshme gjeografike dhe strategjike, krahas me të edhe me pasurinë e madhe të naftës (arit të zi) që ka rëndësi të madhe në suaza botërore, mbetet edhe mëtutje të jetë një zonë neuralgjike në globin tokësor ku goditen interesat e fuqive të mëdha. Pastaj, për shkak të çështjeve territoriale të pa zgjedhura në mes shteteve, poashtu mbetet edhe më tutje vatërr me tensione të ndryshme, ndonjëherë të përcjella me konflikte të armatosura. Rast është konflikti i fundit në mes Izraelit dhe palestinezëve, përkatësisht një organizate palestineze e cila në qarqet botërore është e kualifikuar si organizatë terroriste.
(Shënim: Për përgatitjen e punimit është konsultuar literatura shkencore )

Popular Posts